Policia ka nisur një hetim për vrasje lidhur me vdekjen e Ann Widdecombe, ndërsa është në zhvillim një operacion për kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Devon dhe Cornwall njoftoi se ish-ministrja konservatore 78-vjeçare, e cila së fundmi ishte zëdhënëse e partisë Reform UK, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Dartmoor, në qarkun Devon, të enjten në mëngjes, me plagë të rënda.
Ja çfarë dihet – dhe çfarë ende nuk dihet – për hetimin deri më tani, raporton BBC.
Çfarë ka ndodhur?
Policia thotë se Widdecombe u gjet e pajetë, me plagë të rënda, në shtëpinë e saj në Haytor, një fshat në zonën e Dartmoor, të enjten në mëngjes, pasi oficerët u njoftuan nga shërbimi i ambulancës rreth orës 11:40 sipas orës britanike (BST).
Vdekja e saj u njoftua të premten në mëngjes nga ekipi i saj menaxhues, por nuk u dhanë detaje se kur, si apo ku kishte ndodhur vdekja dhe as nuk u përmendën rrethana të dyshimta.
Në deklaratë thuhej, mes të tjerash:
“E dimë se ky lajm do të jetë një tronditje e madhe për kolegët dhe miqtë e shumtë që ajo fitoi gjatë jetës së saj.”
Më vonë, të premten pasdite, policia publikoi një deklaratë duke bërë të ditur se kishte nisur një hetim për vrasje dhe dha detaje për një të dyshuar.
Pas kësaj, ekipi menaxhues i Widdecombe publikoi një deklaratë të dytë, ku tha se ishte “plotësisht i shkatërruar” nga lajmi për hetimin policor, pas “24 orësh shumë traumatike dhe të dhimbshme”.
Forca të shumta policore vazhdojnë të jenë të pranishme pranë banesës së saj. Një korrespondent i BBC-së raportoi se në rrugën jashtë shtëpisë ndodhen disa automjete policie dhe një furgon policor në hyrje të pronës.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, u bëri thirrje qytetarëve “të shmangin spekulimet dhe t’i lejojnë policisë të vazhdojë hetimin”.
Në një postim në platformën X, ajo tha se rrethanat e vdekjes së Ann Widdecombe janë “jashtëzakonisht tronditëse”, duke shtuar se “mendimet e saj janë me familjen dhe njerëzit e afërt të Ann”.
Ndërkohë, një zëdhënës i zyrës së mjekut ligjor për Devon, Plymouth dhe Torbay tha se “hetimet paraprake janë ende në zhvillim”.
Kush është i dyshuari?
Policia është në kërkim të një të dyshuari, për të cilin beson se është një mashkull i bardhë. Sipas autoriteteve, hetimi “po përparon me ritëm të shpejtë”.
Policia u bëri thirrje “kujtdo që mund të ketë parë diçka të dyshimtë në zonën e Haytor Vale ose Haytor, apo që disponon pamje nga kamerat e sigurisë, kamerat e ziles së derës ose kamerat e automjeteve, të kontaktojë hetuesit”.
Autoritetet shtuan se oficerë shtesë me uniformë do të patrullojnë zonën për të ndihmuar hetimet dhe për të qetësuar banorët.
Duke folur për mediat, kryeministri britanik Keir Starmer tha se i dyshuari është “qartazi i rrezikshëm” dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë informacion për të “të ndihmojnë policinë që ta arrestojë”.
Kryeinspektorja detektive Ilona Rosson tha:
“Ky është një incident jashtëzakonisht tragjik dhe mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e Ann Widdecombe në këtë periudhë të vështirë.
U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë çfarëdo informacioni për këtë ngjarje, sado i parëndësishëm të duket, të paraqiten dhe të flasin me ne.”
Si kanë reaguar njerëzit?
Karriera politike e Widdecombe zgjati për dekada. Ajo ishte deputete e Maidstone, në Kent, për 23 vjet dhe shërbeu si ministre në Ministrinë e Brendshme dhe ministre e Punës në qeverinë e John Major nga viti 1994 deri në vitin 1997.
Pas lajmit për hetimin e vrasjes, kryeministri Keir Starmer e cilësoi atë si “një lajm tronditës”, duke shtuar se mendimet e tij janë me familjen e Widdecombe “në këtë moment të tmerrshëm”.
Ai tha se kishte biseduar me Kryetarin e Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, udhëheqësen e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, liderin e Reform UK, Nigel Farage, si dhe me Andy Burnham, “për t’u bërë thirrje të gjithëve të qëndrojnë të bashkuar”.
Kemi Badenoch tha se ishte “e tronditur” dhe se “e kishte shumë të vështirë të gjente fjalët”.
Ajo shtoi:
“Ann Widdecombe ishte një grua shumë energjike, me karakter të fortë dhe gjithmonë e shprehte hapur mendimin e saj.
Ajo ishte 78 vjeçe. Ishte një grua e moshuar. Nuk e kuptoj si dikush mund t’i bëjë diçka kaq të tmerrshme një personi të moshuar.
Ishte një sulm mizor dhe i tmerrshëm. Zemra ime është me familjen e saj.”
Më tej ajo tha:
“Është një gjë kur dikush vdes, por të mësosh se është vrarë në një mënyrë kaq të tmerrshme është vërtet e dhimbshme.”
Ann Widdecombe lindi në Bath, në Somerset, në vitin 1947. Ajo studioi latinisht në Universitetin e Birminghamit dhe më pas filozofi, politikë dhe ekonomi në Universitetin e Oksfordit.
Pas largimit nga Parlamenti, iu përkushtua botës së spektaklit, duke marrë pjesë në emisionet “Strictly Come Dancing” në vitin 2010 dhe “Celebrity Big Brother” në vitin 2018.
Anton Du Beke, partneri i saj në “Strictly Come Dancing”, tha se vdekja e saj ishte “lajmi më i trishtë”.
“Kaluan një kohë të jashtëzakonshme së bashku,” tha ai në një video të publikuar në platformën X.
Si një mbështetëse e vendosur e largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, Widdecombe u bë eurodeputete e Partisë Brexit, duke përfaqësuar Anglinë Jugperëndimore në Parlamentin Evropian nga viti 2019 deri në vitin 2020.
Në vitin 2023, ajo iu bashkua partisë Reform UK të Nigel Farage, pasi kjo parti ndryshoi emrin nga Brexit Party, dhe u shfaq disa herë si zëdhënëse e saj për çështjet e emigracionit dhe drejtësisë.





