Australia ka konfirmuar rastin e parë të virusit vdekjeprurës të gripit të shpendëve H5N1 te një shpend detar vendas, ndërsa autoritetet po testojnë edhe një fokë të ngordhur për një infeksion të mundshëm.
Ministrja e Bujqësisë, Julie Collins, bëri të ditur se testimet laboratorike nga agjencia kombëtare shkencore e Australisë kanë konfirmuar praninë e virusit te një shpend detar i llojit “greater crested tern”, i gjetur në zonën bregdetare Robe, në Australinë e Jugut, shkruan Reuters.
Ky është rasti i parë i konfirmuar te një shpend detar në territorin e Australisë kontinentale, pasi rastet e mëparshme ishin regjistruar te shpendë shtegtarë.
Me këtë rast, numri i rasteve të konfirmuara me H5N1 në vend ka shkuar në 12, pasi autoritetet njoftuan edhe për dy raste të reja në Australinë e Jugut dhe një tjetër në Australinë Perëndimore.
Collins e cilësoi situatën si “shqetësuese”, por tha se ajo nuk ishte e papritur. Sipas saj, deri tani nuk ka dëshmi për ngordhje masive të kafshëve apo për përhapje të virusit te specie të tjera, si dhe në sektorin e shpendarisë apo bujqësisë.
Shkencëtarët australianë po vijojnë hetimet për të përcaktuar mënyrën se si virusi ka arritur të infektojë shpendin detar.





