Barcelona nuk ka hequr dorë nga transferimi i Karim Adeyemit dhe po vazhdon negociatat me Borussia Dortmundin për të siguruar shërbimet e sulmuesit gjerman.
Sipas gazetarit Luca Bendoni, oferta e klubit katalunas është më e ulët nga sa ishte raportuar më herët. Blaugranët kanë vendosur në tavolinë 20 milionë euro si pagesë fikse, ndërsa edhe 10 milionë euro të tjera janë parashikuar në formë bonusesh të lidhura me paraqitjet dhe objektivat e lojtarit.
Megjithatë, propozimi nuk e ka bindur ende Borussia Dortmundin. Klubi gjerman vazhdon të kërkojë rreth 40 milionë euro për të lejuar largimin e 24-vjeçarit, duke mbajtur një diferencë të konsiderueshme mes palëve.
Në anën tjetër, Barcelona duket se ka bërë përparim me vetë futbollistin. Raportohet se Adeyemi ka arritur marrëveshje për kushtet personale dhe është i gatshëm të firmosë një kontratë pesëvjeçare, në momentin që klubet arrijnë akordin për shumën e transferimit.
Drejtuesit katalunas po punojnë për të ngushtuar diferencën financiare me Dortmundin dhe shpresojnë ta mbyllin marrëveshjen gjatë ditëve në vijim.
Pavarësisht qëndrimit të fortë të klubit gjerman, pozita e Dortmundit në negociata nuk është ideale. Kontrata e Adeyemit përfundon në verën e ardhshme dhe rreziku për ta humbur pa dëmshpërblim e detyron klubin të shqyrtojë me kujdes çdo ofertë. Për më tepër, sezoni i fundit i sulmuesit nuk ishte në nivelin që pritej, një faktor që mund të ndikojë në vlerën përfundimtare të transferimit.





