Kolegji AAB

Operacion i madh kundër qendrave të masazhit dhe eskortave: Mbyllen 10 lokale, 8 të arrestuar

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në kuadër të planit operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët JAD Global Chain 2026-Qershor 2026”, i realizuar nga 8 deri më 12 qershor në koordinim me EUROPOL, INTERPOL, FRONTEX dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.

Në njoftim bëhet e ditur se operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë kontrolle në lokale me muzikë live, qendra masazhi, operacione për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, si dhe planin taktik për luftimin e prostitucionit përmes eskortave.

Sipas Policisë, gjatë aksionit janë evidentuar katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, ndërsa janë arrestuar tetë persona, prej tyre katër shtetas të Kosovës dhe katër shtetase të huaja, përkatësisht dy nga Brazili dhe dy nga Kolumbia.

Në kuadër të kontrolleve janë inspektuar 59 lokale me muzikë live në të gjithë territorin e Kosovës, ku janë identifikuar 420 persona. Nga ta, 186 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Gjashtë lokale janë gjetur të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera janë mbyllur për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, shumica gra. Nga këto qendra, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.

Policia bën të ditur se, pavarësisht kontrolleve intensive, gjatë këtij operacioni nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.

Sipas njoftimit, gjatë operacionit janë evidentuar edhe shtatë raste të tjera ku janë arrestuar shtatë gra, katër shtetase të Shqipërisë, një e Malit të Zi dhe dy të Kosovës, të cilat janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugë së bashku me fëmijët e tyre.

13 fëmijë janë trajtuar në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, ndërsa janë iniciuar procedura për dyshimin e veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Në operacion kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Kufirit, njësitë speciale, Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, si dhe zyrtarë nga drejtoritë rajonale policore. Aksioni është mbështetur edhe nga Inspektorati Qendror i Tregut, Inspektorati i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale.

Policia thekson se të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe në rastet e eskortës janë intervistuar dhe u është ofruar mundësia të deklarojnë nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit.

Sipas autoriteteve, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se ishte viktimë e trafikimit me njerëz.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA