Policisë së Shtetit në Shqipëri i janë shtuar dhjetëra motoçikleta të reja, të financuara nga pasuritë e konfiskuara nga krimi.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhanë më shumë informacione lidhur me këto motoçikleta, duke theksuar që nuk janë nga paratë e taksapaguesve.
Lamallari theksoi ky lloj financimi për motorët, është një mënyrë për ta kthyer pasurinë e krimit në investim për sigurinë e qytetarëve.
“Flota e mjeteve të Policisë së Shtetit, sot pasurohet me 23 motorë të rinj, të destinuar për Policinë Rrugore dhe forcat Shqiponja. Por, përtej numrit, këto mjete në fakt mbartin një kuptim të veçantë. Drejtësia nuk duhet vetëm të ndëshkojë krimin, por edhe ta kthejë atë kundër vetes së tij. Asnjë lek i taksapaguesve nuk është prekur për këtë investim. Financimi vjen nga konfiskimi i pasurive të sekuestruara të krimit të organizuar, kryesisht. Nga vetë burime që dikur ushqenin pandëshkueshmërinë, sot ushqehet siguria e qytetarëve“, tha ai.
Sipas ministrit, goditja e bazës ekonomike të grupeve kriminale mbetet një nga instrumentet më efektive në luftën kundër krimit.
“Lufta kundër krimit nuk matet vetëm me arrestime apo procedime. Ajo matet me aftësinë e shtetit për të goditur grupet kriminale aty ku dhembin më shumë, në themelet e tyre ekonomike, dhe për ta rikthyer atë në investim publik”, u shpreh Lamallari.
Më tej, Lamallari falenderoi efektivët e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e treguar gjatë protestave të ditëve të fundit.
“Ju dhe kolegët tuaj keni kaluar një periudhë të ngarkuar dhe sfiduese, jo vetëm në terren, por edhe në sheshin e pamëshirshëm të opinionit publik. Keni përballuar provokime, akuza dhe gjykime të nxituara, aty ku shpesh rrjetet sociale flasin para se të flasin vetë faktet dhe të shpallin dhe gjyqet publike. Mendoni se çfarë do të thotë të përballesh me një urrejtje të pafiltruar, ku ‘heroi’ apo deliranti revolucionar, ju akuzon publikisht për dhunë, një teatro-realitet të inskenuar, me qëllimin e vetëm për t’u bërë viral. Në skena të tilla, të vetmit pa faj mbeten dy palë, punonjësi i policisë, i cili duhet të ruajë me çdo kusht dinjitetin me durim, sepse kështu e kërkon pozicioni i tij, dhe vetë akuzuesi, në disa raste, i cili, në çdo rast që kemi dëshmuar së fundmi, ka më shumë nevojë për kujdes, ekzaminime dhe mundësisht për trajtim sesa për përgjegjësi ligjore. Vazhdoni kështu, pa e humbur kurrë durimin dhe pa rënë kurrë pre e provokimeve. Uniforma që mbani kërkon vetëpërmbajtje përballë atyre që nuk respektojnë as ligjin dhe as institucionet. Policia nuk duhet të përgjigjet me emocion, ajo përgjigjet me ligj. Ky është dallimi mes shtetit dhe kaosit”, tha Lamallari.
Në fjalën e tij, Kryepolici theksoi rëndësinë e mjeteve të reja të Policisë së Shtetit për reagim më të shpejtë në terren, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
“Në një realitet ku ritmi i ngjarjeve dhe fluksi i lartë i qarkullimit rrugor kërkojnë ndërhyrje në sekonda, mjetet e shpejta e të manovrueshme janë një domosdoshmëri operacionale. Ato na japin mundësinë të thyejmë kohën, të jemi më pranë qytetarit në çdo emergjencë, të parandalojmë ngjarjet kriminale në kohë dhe të garantojmë kontroll të plotë mbi territorin. Ky investim dëshmon angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Policinë e Shtetit. Kjo mbështetje po përkthehet përditë në projekte konkrete dhe të prekshme”, u shpreh Hita.





