Pas një mungese të gjatë nga oktagoni, Conor McGregor është gati të rikthehet në skenën më të madhe të arteve marciale të përziera. Ish-kampioni i dyfishtë i UFC-së do të ngjitet sërish në kafaz këtë të shtunë në T-Mobile Arena në Las Vegas, ku do të përballet me Max Holloway në eventin kryesor të UFC 329, në kategorinë welter.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e irlandezit që nga korriku i vitit 2021, kur pësoi një frakturë të rëndë në këmbë gjatë përballjes me Dustin Poirier në UFC 264. Pas një rikuperimi të gjatë, McGregor beson se është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.
Luftëtari me rekord 22 fitore dhe 6 humbje deklaroi se rikthimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me një ndeshje, por me ambicien për të dominuar sërish sportin.
“Ndjej se kam ende shumë për të arritur. Dua më shumë tituj, më shumë rripa kampioni, më shumë nokaut, më shumë rekorde dhe më shumë fitore. Kam punuar shumë për të ndërtuar këtë trashëgimi dhe tani dua të përfitoj nga gjithçka që kam krijuar.”
McGregor shtoi se vazhdon ta konsiderojë veten një nga figurat më të mëdha të sporteve luftarake dhe është i bindur se mund ta dëshmojë këtë edhe një herë.
“Bota e arteve marciale të përziera është bota ime. Jam këtu për ta treguar sërish se çfarë jam në gjendje të bëj dhe këtë do ta shihni të shtunën.”
Edhe pse në korrik mbush 37 vjeç, irlandezi nuk mendon ende për tërheqjen. Ai pranoi se ndodhet në fazën e fundit të karrierës, por jo në fundin e ambicieve të tij. Pas sfidës me Holloway, McGregor do të ketë edhe një ndeshje të mbetur në kontratën aktuale me UFC-në, çka e bën këtë duel edhe më të rëndësishëm për të ardhmen e tij.
Nga ana tjetër, Max Holloway nuk do të jetë aspak një kundërshtar i lehtë. Ish-kampioni dhe një nga emrat më të respektuar të UFC-së synon t’i japë fund rikthimit të bujshëm të McGregorit dhe të rikthehet në garën për titujt më të rëndësishëm.
Pavarësisht sfidës që e pret, McGregor mbetet i bindur se është gati të dëshmojë edhe një herë vlerat e tij.
“Fjalët nuk kanë më rëndësi. Tani është radha ime ta tregoj në kafaz, dhe pikërisht këtë do të bëj.”





