Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores së thellë 4-1 ndaj Shteteve të Bashkuara në Kupën e Botës 2026, por përveç analizës së ndeshjes, ai pati edhe disa deklarata të forta në adresë të kundërshtarëve.
Gardiani belg iu rikthye polemikave që paraprinë sfidën, të lidhura me vendimin e FIFA-s për t’i lejuar sulmuesit amerikan Folarin Balogun të luante pavarësisht pezullimit, një çështje që kishte shkaktuar pakënaqësi te Federata e Futbollit e Belgjikës.
“Në një farë mënyre, ia dolëm t’i përgjigjemi në fushë mungesës së respektit që amerikanët treguan ndaj nesh gjatë ditëve të fundit”, u shpreh Courtois pas përfundimit të takimit.
Portieri belg minimizoi gjithashtu forcën e përfaqësueses amerikane, duke theksuar se sfida ndaj Senegalit kishte qenë shumë më e vështirë sesa ajo ndaj SHBA-së.
“Kam lexuar shumë gjëra këto ditë dhe vetëm më kanë bërë të buzëqesh. E kuptoj se donin të krijonin sa më shumë vëmendje rreth SHBA-së, por sinqerisht isha më i bindur për fitoren në këtë ndeshje sesa në përballjen me Senegalin, i cili, sipas mendimit tim, ka një ekip më të fortë”, deklaroi ai.
Belgjika tashmë ka siguruar një vend në çerekfinale, ku e pret një përballje shumë e vështirë ndaj Spanjës. Megjithatë, Courtois kërkoi që skuadra të mos ushtrojë presion të panevojshëm mbi veten.
“Objektivi ynë ishte të arrinim në çerekfinale. Tani e kemi përmbushur atë dhe gjithçka që do të vijë nga ky moment e tutje do të jetë një bonus”, përfundoi portieri belg.





