Jürgen Klopp është shumë pranë rikthimit në stol, pasi ka pranuar të marrë drejtimin e Kombëtares së Gjermanisë.
Sipas raportimeve të fundit, tekniku gjerman ka dhënë miratimin për projektin e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), ndërsa palët po finalizojnë detajet e kontratës afatgjatë dhe kushtet e bashkëpunimit. Gjithashtu, po diskutohen edhe termat e largimit të tij nga posti i Drejtuesit Global të Futbollit te Red Bull Group.
Klopp rikthehet në rolin e trajnerit pas largimit nga Liverpooli, ku shkroi historinë gjatë nëntë viteve në krye të klubit anglez, duke fituar trofe të shumtë dhe duke u shndërruar në një nga trajnerët më të vlerësuar në botë.
Ndërkohë, Red Bull kishte identifikuar Oliver Glasner si një nga kandidatët për ta zëvendësuar Kloppin në strukturat e grupit, por ky plan nuk u realizua pasi trajneri austriak ka arritur marrëveshje me Nottingham Forest.
Edhe pse mbeten për t’u zgjidhur disa detaje burokratike dhe financiare, rikthimi i Kloppit në stol konsiderohet çështje kohe, me trajnerin gjerman që pritet të nisë një epokë të re në krye të “Panzerëve”.





