Përballja mes Francës dhe Paraguait në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026 mund të pësojë ndryshime të minutës së fundit, pasi temperaturat ekstreme në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime serioze për zhvillimin e ndeshjes.
Takimi, i planifikuar të luhet të shtunën në Filadelfia, pritet të zhvillohet në temperatura që do të kalojnë 38 gradë Celsius. Për shkak të lagështisë së lartë, temperatura e ndjerë brenda stadiumit mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për lojtarët, tifozët dhe stafin.
Drejtori i Heat Lab në Universitetin e Kalifornisë, Bharat Venkat, paralajmëroi se aktiviteti fizik në kushte të tilla mund të ketë pasoja serioze.
“Kur ushtrohesh fizikisht në një ditë me temperatura shumë të larta, rreziku për probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë, madje edhe për pasoja fatale, rritet ndjeshëm”, deklaroi ai.
Stadiumi në Filadelfia nuk disponon një sistem të kontrollit klimatik, ndaj FIFA pritet të zbatojë masa parandaluese si pushime për hidratim, zona ftohjeje dhe protokolle të tjera për përballimin e temperaturave të larta.
Megjithatë, sindikata ndërkombëtare e futbollistëve FIFPRO dhe ekspertë të fushës kanë argumentuar se këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme. Sipas tyre, ndeshjet duhet të shtyhen nëse kushtet atmosferike paraqesin rrezik për shëndetin e pjesëmarrësve.
Futbollistët e Francës kishin hasur vështirësi edhe në ndeshjen ndaj Suedisë në New Jersey, ku temperaturat arritën në 32 gradë Celsius. Gjatë atij takimi, lojtarët përdorën spërkatëset e fushës për t’u freskuar.
Shkencëtarët kanë kritikuar gjithashtu udhëzimet aktuale të FIFA-s për mbrojtjen nga temperaturat e larta, duke i cilësuar ato si të pamjaftueshme për kushtet klimatike të verës në Amerikën e Veriut.
Ndërkohë, problemet me motin nuk kufizohen vetëm te sfida Francë–Paraguai. Edhe ndeshja mes Anglisë dhe Meksikës ka qenë në qendër të diskutimeve për shkak të parashikimeve për stuhi në Mexico City.
Sipas mediave meksikane, ishte shqyrtuar mundësia që takimi të zhvillohej gjashtë orë më herët, por FIFA vendosi ta ruajë orarin e planifikuar. Më herët, përballja mes Meksikës dhe Ekuadorit ishte shtyrë për shkak të reshjeve të dendura, ndërsa organizatorët vazhdojnë të monitorojnë nga afër kushtet atmosferike.





