Real Madridi ka reaguar zyrtarisht ndaj spekulimeve të fundit të merkatos, duke mohuar kategorikisht se ka shfaqur interes për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez.
Në një komunikatë zyrtare, klubi madrilen theksoi se nuk ka bërë asnjë tentativë, as të drejtpërdrejtë dhe as të tërthortë, për transferimin e reprezentuesit argjentinas.
“Duke marrë parasysh lajmet dhe deklaratat e publikuara ditët e fundit në lidhje me një interesim të Real Madridit për Enzo Fernandez, klubi dëshiron të sqarojë se nuk është bërë asnjë përpjekje, e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, për transferimin e futbollistit dhe se nuk ka ndërmend të procedojë me një transferim të tillë”, thuhet në deklaratë.
Klubi spanjoll shprehu gjithashtu respektin maksimal për Enzo Fernandez, duke e cilësuar atë si një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe për Chelsean, me të cilin theksoi se gëzon marrëdhënie të shkëlqyera institucionale.
“Real Madridi dëshiron të shprehë respektin maksimal për Enzo Fernandez, një futbollist i shkëlqyer, karriera dhe cilësitë e të cilit njihen nga të gjithë, si dhe për Chelsean, klub me të cilin kemi një marrëdhënie të shkëlqyer institucionale. Pikërisht për këtë arsye dhe në respekt të parimeve që kanë udhëhequr gjithmonë veprimet e klubit, e shohim të nevojshme t’i përgënjeshtrojmë në mënyrë kategorike këto spekulime, të cilat janë tërësisht të pavërteta”, përfundon komunikata e Real Madridit.





