Kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç, nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit dramatik nga Portugalia në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, duke kritikuar ashpër vendimet e arbitrave dhe përdorimin e sistemit VAR.
Mesfushori veteran tha se Kroacia nuk ishte në nivelin e saj në pjesën e parë, por në të dytën zhvilloi një nga ndeshjet më të mira, duke shtuar se skuadra e tij meritonte të kalonte më tej.
“Mund ta shohim ndeshjen në dy pjesë. Në të parën nuk ishim në nivelin tonë më të mirë, ndërsa në të dytën luajtëm një ndeshje fenomenale. Mund ta kishim mbyllur më herët, por nuk ia dolëm. Mendoj se meritonim shumë më tepër”, deklaroi Modriç.
Ai vuri në dyshim anulimin e golit të Josko Gvardiolit për pozicion jashtë loje, duke theksuar se pamjet filmike nuk tregojnë askund se Igor Matanoviç e kishte prekur topin.
“Gjyqtari tha se Matanoviç e preku topin, por ne i pamë pamjet dhe nuk shihet askund një prekje e tillë. Nëse ai nuk e ka prekur topin, atëherë nuk kishte pozicion jashtë loje”, u shpreh kapiteni kroat.
Modriç reagoi edhe ndaj penalltisë nga e cila Kristiano Ronaldo shënoi golin e barazimit për Portugalinë, duke akuzuar VAR-in për standarde të dyfishta.
“Nuk kishte penallti. VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm kur ka një gabim të qartë, jo në raste të diskutueshme. Më duket se në disa raste përdoret në mënyrë selektive, madje edhe në varësi të madhësisë së ekipit. Fatkeqësisht, këto vendime shpesh kanë shkuar në dëm të Kroacisë”, tha ai.
Pas humbjes së dhimbshme, disa lojtarë kroatë, mes tyre Mateo Kovaçiç dhe Ivan Perishiç, nuk i mbajtën dot lotët. Modriç tha se ky reagim tregon sa shumë do të thotë për ta fanella e kombëtares.
“Emocionet e Mateos, Perishiçit dhe të tjerëve tregojnë se sa shumë do të thotë Kroacia për ne. Ne jetojmë për çdo ndeshje, për çdo fitore dhe e dimë sa shumë mbështetje kemi nga populli ynë. Prandaj është e vështirë t’i përmbash emocionet pas një eliminimi të tillë”, u shpreh ai.
Pavarësisht zhgënjimit, Modriç theksoi se skuadra largohet nga turneu me kokën lart, krenare për paraqitjen dhe luftën e treguar, veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes.
Në fund, i pyetur nëse kjo ishte ndeshja e tij e fundit me fanellën e Kroacisë, legjenda kroate nuk dha një përgjigje të prerë.
“Nuk është koha për të folur për këtë. Do ta mësoni shumë shpejt”, përfundoi Modriç.





