Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të zbresë sonte në parket për sfidën ndaj Shqipërisë, e vlefshme për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029.
Takimi do të zhvillohet në Prizren, me fillim nga ora 19:00, ndërsa “Dardanët” synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin në këtë cikël kualifikues.
Përzgjedhësi i Kosovës ka publikuar tashmë listën zyrtare të 12 basketbollistëve që do të jenë në dispozicion për ndeshjen e sontme, pas përfundimit të përgatitjeve që kishin nisur më 17 qershor.
Nga lista fillestare prej 15 lojtarëve janë përzgjedhur 12 emrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë përballje, ndërsa ekipi do të paraqitet me disa mungesa të rëndësishme.
Valon Bunjaku nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një lëndimi, ndërsa jashtë skuadrës kanë mbetur edhe Gëzim Morina dhe Rron Ukaj, të cilët gjithashtu nuk kanë arritur të rikuperohen në kohë.
Pavarësisht mungesave, te kampi i Kosovës mbretëron optimizëm se skuadra është e gatshme për të zhvilluar një paraqitje të mirë para tifozëve vendas dhe për ta nisur me rezultat pozitiv aventurën drejt EuroBasket 2029.





