Kawhi Leonard do të veshë sërish fanellën e Toronto Raptors, shtatë vjet pasi u largua nga klubi për t’iu bashkuar Los Angeles Clippers.
Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Shams Charania, Raptors kanë arritur marrëveshje me Clippers për rikthimin e 35-vjeçarit. Në këmbim, drejt Los Angelesit do të transferohen Brandon Ingram, Gradey Dick, dy zgjedhje të raundit të parë në draft, një e drejtë shkëmbimi në raundin e parë dhe dy zgjedhje të raundit të dytë.
Rikthimi i Leonardit ishte përfolur prej ditësh, pasi lojtari kishte shprehur gatishmërinë për të firmosur kontratë të re vetëm me Toronton. Tashmë palët pritet të nisin bisedimet për një marrëveshje afatgjatë.
Leonard mbetet një figurë historike për Raptors, pasi në sezonin 2018/19 i udhëhoqi drejt titullit të parë kampion në historinë e klubit, duke u shpallur edhe MVP i finaleve të NBA-së.
Edhe pse 35 vjeç, amerikani vjen pas një sezoni shumë të mirë me Clippers, ku regjistroi mesatarisht 27.9 pikë dhe 1.9 vjedhje topi për ndeshje.
Me rikthimin e Leonardit dhe praninë e Scottie Barnes, Raptors synojnë të rikthehen mes skuadrave pretendente për titull në sezonin e ri të NBA-së.





