Imami i fshatit Zlipotok, Gazmend Tahirovci, është therur për vdekje mbrëmë në rrethana ende të paqarta.
Sipas, sekretarit të KBI-së për rajonin e Gorës, Ajhan Beqiri, motivi i vrasjes nuk lidhet me punën e tij si imam i xhamisë.
“E tëra që mund të them është se vrasja e imamit nuk lidhet me punën e tij. Kemi informacione që ky akt i rëndë ka ndodhur për çështje private. Gazmendi ka qenë imam në zonën tonë dhe jemi të tronditur me humbjen e tij. Urojmë që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin sa më parë këtë rast. Ne bashkëndjejmë dhimbjen me familjen e të ndjerit dhe urojmë që Zoti ta ketë çuar në xhehnet”, ka thënë Beqiri për Indeksonline.
Policia ka arrestuar Beshmir Hamzën dhe babain e tij. Ky i fundit është arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “mosdhënie e ndihmës”, ndërkaq i biri i tij për vrasjen e Tahirovcit.





