Drejtori Rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Kluge, u ka bërë thirrje qeverive evropiane që valët ekstreme të të nxehtit t’i trajtojnë si një krizë shëndetësore, duke ndërmarrë masa për mbrojtjen e popullatës dhe përgatitjen e sistemeve shëndetësore para se temperaturat të arrijnë kulmin.
Thirrja vjen në një kohë kur Evropa po përballet me temperatura që në disa vende kanë kaluar 40 gradë Celsius, duke rritur ndjeshëm numrin e rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore dhe duke vënë nën presion shërbimet shëndetësore, shkruan Euronews Health.
“Njiheni nxehtësinë ekstreme si një krizë shëndetësore dhe veproni para se temperaturat të arrijnë kulmin”, ka shkruar Kluge në platformën X.
Ai theksoi se përgatitja ndaj valëve të të nxehtit duhet të jetë konkrete dhe funksionale, duke përfshirë lirimin e shtretërve spitalorë, mbrojtjen e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimin e ambienteve të ftohta, garantimin e furnizimit rezervë me energji elektrike dhe mbështetjen e stafit shëndetësor.
Vala e të nxehtit ka ushtruar tashmë presion mbi sistemet shëndetësore në disa vende evropiane.
Në Francë, repartet e urgjencës kanë raportuar një rritje katërfish të rasteve të lidhura me temperaturat e larta, përfshirë goditjen nga të nxehtit, dehidratimin dhe hiponatreminë – një gjendje e shkaktuar nga niveli i ulët i natriumit në gjak.
Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi i Ambulancës në Londër njoftoi se të premten e kaluar regjistroi ditën më të ngarkuar në historinë e tij, duke iu përgjigjur 8,869 thirrjeve emergjente.
Disa spitale të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) shpallën gjithashtu incidente kritike, pasi defektet në sistemet e ftohjes ndikuan në funksionimin e pajisjeve mjekësore, sallave të operacionit dhe reparteve spitalore.
Sipas OBSH-së, temperaturat ekstreme paraqesin rrezik të veçantë për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe grupet e tjera të cenueshme. Organizata u bën thirrje autoriteteve që të forcojnë planet e reagimit ndaj valëve të të nxehtit, duke e konsideruar këtë fenomen një sfidë serioze për shëndetin publik.





