Pak javë pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 7 qershorit, kanë nisur paralajmërimet se Kosova rrezikon prapë të hyjë në një proces të bllokadës politike.
Kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, partitë politike ende nuk kanë nisur asnjë konsultim për krijimin e institucioneve të reja.
Një veprim të tillë nuk e ka ndërmarrë ende Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e parakohshme.
Deputeti i rizgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se rreziku ekziston që prapë të ketë bllokadë, pasi sipas tij, gjuha dhe qasja e Lëvizjes Vetëvendosje mbetet problematike.
“Kosova ka rrezik të madh të përsëritet, me hy prapë në bllokadë. Fakti që diskutohet a duhet më së pari të zgjidhet presidenti apo qeveria, nënkupton që ideja është me kapë një post.”, ka thënë Tahiri në një intervistë për EO.
Ai ka thënë se Aleanca është partia e vetme e cila ka dhënë platformë për të dalë nga kriza, pa kërkuar asnjë post apo pjesëmarrje në qeverisje.
Tahiri ka shtuar se Aleanca nuk synon ta bllokojë procesin, por vendimi për votën rreth presidentit do të varet nga kandidatura konkrete.
“Këto janë kushtet tona dhe ne nuk e bllokojmë procesin. Pra, ne shkojmë në kuorum. A e votojmë apo jo, varet prej njerëzve dhe se çfarë emrash nxjerrin ata. Ne duhet ta dimë emrin, mirëpo këto që përmenda janë kushtet tona”, ka thënë Tahiri.





