Kolegji AAB

Mehdi Taremi shpërthen ndaj FIFA-së: Nëse duan të eliminohemi, le të eliminohemi

Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka shprehur pakënaqësinë e tij për kushtet në të cilat përfaqësuesja iraniane po merr pjesë në Kupën e Botës 2026, duke vënë në pikëpyetje nëse skuadra e tij është vërtet e mirëpritur në turne.

Irani barazoi 1:1 me Egjiptin në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, ndërsa pika e fituar mund të rezultojë e mjaftueshme për kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Taremi humbi një penallti në pjesën e parë dhe goditi traversën, ndërsa në fund të ndeshjes një gol i Iranit, që do t’i siguronte kualifikimin, u anulua për pozitë jashtë loje.

Megjithatë, pas ndeshjes, sulmuesi iranian u ndal më shumë te problemet jashtë fushës. Ai kritikoi ashpër organizimin e turneut, duke e cilësuar situatën si një “katastrofë” logjistike.

Sipas Taremit, kufizimet në udhëtim dhe fakti që skuadra është e vendosur në Meksikë, ndërsa të gjitha ndeshjet i zhvillon në Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar vështirësi të mëdha për ekipin.

“FIFA duhet t’i zgjidhë këto probleme. Fatkeqësisht, nuk ka arritur ta bëjë këtë që nga fillimi i turneut”, deklaroi Taremi.

Ai zbuloi gjithashtu se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte vizituar zhveshtoren e Iranit pas ndeshjes së parë dhe kishte premtuar se situata do të përmirësohej.

“Na tha se ky ishte vetëm fillimi. Por tani faza e grupeve po përfundon dhe stafi ynë i logjistikës ende nuk është këtu. Pse duhet të udhëtojmë vazhdimisht drejt Tijuana? Ne i duam njerëzit e Meksikës dhe të Tijuanës, por si futbollistë profesionistë, në një kompeticion të këtij niveli, kjo nuk është e drejtë”, u shpreh kapiteni iranian.

Në fund, Taremi la të kuptohej se ndihet sikur Irani nuk është i mirëpritur në këtë Kupë Bote.

“Kush dëshiron të na ndihmojë? Kush? Nëse duan që ne të eliminohemi, në rregull, le të eliminohemi dhe të largohemi. Por kjo nuk është e drejtë”, përfundoi ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA