Gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka raportuar se Manchester City ka arritur marrëveshje të plotë me Nottingham Forest për transferimin e Elliot Anderson.
Mesfushori 23-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.
Anderson tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera te Nottingham Forest gjatë sezonit të kaluar, çka i siguroi edhe një vend në ekipin kombëtar. Tashmë, ai duket se është gati të bëjë hapin më të madh të karrierës.
Sipas Romanos, Manchester City do t’i paguajë Nottingham Forestit 135 milionë euro, ndërsa me bonuset marrëveshja mund të arrijë deri në 150 milionë euro. Testet mjekësore pritet të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëse transferimi finalizohet me këto shifra, City do të vendosë një rekord të ri për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, duke kaluar shumën prej 117.5 milionë eurosh të paguar për Jack Grealish nga Aston Villa.
Gjithashtu, marrëveshja pritet të vendosë edhe një rekord të ri në Ligën Premier, duke tejkaluar transferimin e Alexander Isak.
Anderson është produkt i akademisë së Newcastle United dhe iu bashkua Nottingham Forestit në vitin 2024 për 41 milionë euro. Që atëherë, ai ka zhvilluar paraqitje mbresëlënëse, ndërsa deri më tani numëron 11 ndeshje me kombëtaren e Anglisë.





