Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka thënë se ka marrë mesazhe e komente linquese, sipas saj, vetëm pse është interesuar për projektin e gazit amerikan.
Për këtë ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi siç ka thënë “mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës”.
“Prej mbrëmë, njerëz me identitet e pa identitet kanë shkruar komente, poste, mesazhe pa ndal kundër meje pse jam interesuar për projektin e gazit amerikan. Mesazhi i tyre, ashiqare prej taborit të VV është: po punon kundër Republikës. Këto mesazhe janë të rrejshme, edhe të rrezikshme për punën time në interesim për mundësinë. Nëse keni menduar që fjalia e parë edhe e fundit vjen nga Kurti e ministrja pa e kuptuar edhe çfarë po ofrohet nga pala ndërkombëtare, e keni pas gabim përshtypjen”, ka shkruar Ymeri në një postim në Facebook.
Ajo ka thënë se për këtë çështje duhet diskutim në Kuvend e hetime ndërkombëtare.
“Me komente linçuese vetëm e tregoni frikën që keni. Kjo punë është për Kuvend ta kuptojnë të gjithë se çfarë ofrohet edhe të përballemi me kryeministrin e ministren se çfarë plani kanë saktë e jo përralla të 2050-tës. Po nuk duhet të lihet me kaq, nevojiten edhe hetime ndërkombëtare kur sistemi ynë i drejtësisë po auditon relievin, sepse ndikimi i mafisë energjetike, Kinës e Rusisë duhet të vlerësohet sa ndikon në ekonomi e politikë të Kosovës e Ballkanit”, ka shkruar Ymeri.
Ajo të enjten në mbrëmje në KTV ka deklaruar se për shkak të interesit të madh publik për projektin e gazit amerikan, e ka kontaktuar Ambasadën Amerikane dhe i është thënë se po përballen me qasje refuzuese nga Qeveria.
Ymeri në emision është shprehur se Qeveria aktuale nuk mund t’i thotë jo Amerikës por do e shtyjë si projekt.
Ndërkohë në Facebook ajo ka shkruar se pyetjet për projekt nuk janë luftë.
“D.m.th. të bësh tregti me Vuk Hamovic, të marrësh paratë e GEN Serbisë, të manipulosh çmime me ElektroPrivredën e Serbisë është punë e Qeverisë a po? Ndërsa na me shujt, përderisa na keni marr 1miliard për energji, na keni humb shkolla, spitale, jetën. Pyetjet për një projekt nuk do të thotë luftë bile e kundërta, shtrohet pyetja pse Qeveria s’po e shtron debatin, kundër kujt po lufton Qeveria e Kosovës e kënd po e mbron, mafinë energjetike?!”, ka shkruar Ymeri.





