Komuna e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar qytetarët për zbatimin e një kodi të veshjes gjatë vizitave në objektin komunal.
Njoftimi është vendosur në hyrje të ndërtesës komunale nga Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, ku qytetarët informohen paraprakisht për rregullat që duhet të respektohen gjatë hyrjes në institucion.
Sipas udhëzimit të publikuar, kodi i veshjes parasheh që vizitorët të paraqiten me veshje të përshtatshme për ambientet zyrtare. Në njoftim janë paraqitur edhe ilustrime që shpjegojnë format e veshjeve që nuk konsiderohen të përshtatshme për hyrje në objektin komunal.
Komuna ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe respektim të këtyre rregullave, duke theksuar se ato synojnë të ruajnë seriozitetin dhe standardet institucionale gjatë ofrimit të shërbimeve për qytetarët.
“Ju lutemi të respektoni kodin e veshjes dhe dinjitetin e institucionit”, thuhet në njoftimin e publikuar nga komuna.





