Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas incidentit të sotëm në të cilin ekipi i RTV Dukagjini është penguar dhe sulmuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në Gjilan.
Hyseni ka thënë se Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe e dënon ashpër ngjarjen.
“Komuna e Gjilanit distancohet plotësisht dhe dënon ashpër incidentin e sotëm, ku u pengua dhe u shty fizikisht ekipi i TV Dukagjini gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka sqaruar se personi i përfshirë në incident nuk është zyrtar komunal, duke hedhur poshtë çdo lidhje institucionale me ngjarjen.
“Sqarojmë se personi i përfshirë në këtë incident nuk është zyrtar komunal”, ka deklaruar Hyseni.
Në reagimin e tij, kryetari i Gjilanit ka kritikuar edhe përpjekjet për politizim të rastit nga subjektet politike.
“Ne distancohemi plotësisht nga tendencat e ulëta të uzurpatorëve të pronës publike, konkretisht LDK dhe PDK, për ta politizuar këtë ngjarje. Sulmet e tyre propaganduese shpërfaqin vetëm dëshpërimin e tyre politik”, ka shtuar ai.
Në fund, Hyseni ka shprehur mbështetje për gazetarët dhe punën e tyre profesionale.
“Ekipit të TV Dukagjini dhe të gjithë komunitetit të gazetarëve u shprehim mbështetjen tonë të plotë në realizimin e detyrave të tyre profesionale”, ka përfunduar ai.





