Një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror është sërish në qendër të vëmendjes. Ronaldinho ka befasuar opinionin sportiv duke firmosur me klubin italian Ravenna FC, në atë që konsiderohet një nga lëvizjet më të papritura të kësaj vere.
Fillimisht, ardhja e legjendës braziliane u interpretua si një marrëveshje me karakter promovues dhe marketingu, me synimin për të rritur imazhin dhe popullaritetin e klubit italian. Megjithatë, ditët e fundit janë shtuar spekulimet se ish-fituesi i Topit të Artë mund të mos kufizohet vetëm jashtë fushës.
Zëvendëspresidenti i Ravennës, Ariedo Braida, kishte deklaruar fillimisht se mosha e Ronaldinhos nuk e lejonte të luante në Serie C. Por më pas ai ndryshoi tonin, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi surprizë në fushën e lojës.
“Ronaldinho është një kampion i përjetshëm. Nëse do ta shohim në fushë? Për momentin nuk mund të themi asgjë me siguri, por nuk përjashtohet”, u shpreh Braida.
Edhe vetë braziliani nuk e fshehu emocionin për këtë kapitull të ri në karrierën e tij, duke treguar se pasioni për futbollin vazhdon të jetë po aq i fortë sa dikur.
“Ngjyra të reja, por e njëjta buzëqeshje. Jam i lumtur për këtë sfidë dhe mezi pres të rikthehem pranë topit. Futbolli më ka dhuruar gjithmonë gëzim dhe dua të ndaj të njëjtën energji me familjen e Ravennës”, deklaroi Ronaldinho.
Megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse 46-vjeçari do të aktivizohet në ndeshje zyrtare, vetëm prania e tij në klub ka krijuar një atmosferë entuziazmi të jashtëzakonshëm. Tifozët e Ravennës tashmë po ëndërrojnë të shohin edhe një herë magjinë e Ronaldinhos në fushën e blertë, qoftë edhe për disa minuta.
Nëse kjo ndodh, futbolli italian mund të bëhet sërish skenë e një prej figurave më karizmatike dhe spektakolare që ka njohur ndonjëherë ky sport.





