As hapësirat përreth Kuvendit sot nuk ishin të qeta.
Partia Social Demokrate teksa po mbante një aksion simbolik para Qeverisë, u ballafaqua me Policinë e Kosovës.
Përplasja mes policëve dhe anëtarëve të PSD-së, erdhi si rezultat i mbishkrimeve “veç 2-3 minuta”, që protestuesit po i vendosnin në makinat zyrtare, duke ironizuar me shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.
Aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, teksa u shpreh e shqetësuar sa i përket përleshjes me policinë, tha se qeveria duhet të japë dorëheqje pasi, sipas saj, ka bashkëpunuar me Listën Serbe.
“Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së ka dalë duke folur me ton shumë dashamirës me kryesuesin e Listës Srbska, i cili del që ishte një ndërlidhje me Milano Radojiçiq, në ndërmjetësim për t’i koordinuar hapat si për Ligjin për Paga ku bëhet fjalë për veteranë, për të cilin kemi protestuar që ata të trajtohen në mënyrë të duhur”, tha Rrusta.
Rrusta tha se Qeveria e Kosovës po mban atë që ajo e quajti “maskë të moralit”.
“Gjithë çfarë po shohim sot është një degradim i kësaj dhe anën tjetër këta që na kanë mbajtë këtë diplomën e moralit se nuk koordinohen e nuk bashkëpunojnë, se janë autonomë dhe të pavarur, gjithë çfarë po del është se këta e bëjnë këtë gjë, por e bëjnë fshehur. E kur ju del kjo, këta e denoncojnë atë që e ka bërë të madhe. Por, duhet me pasë të qartë se ‘vegëza’ është një fije që edhe heq gjithë këtë maskën e madhe që po duket se e ka ky pushtet. Le të bjerë njëherë dhe përfundimisht kjo maska morale që po e mbajnë këta”, tha Rrusta.
Kjo protestë është një ndër reagimet e shumta në sferën publike të Kosovës pas publikimit të audio-incizimeve, ku shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, dëgjohet teksa flet me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Mes tjerash, në këto audio-incizime Mimoza Kusari – Lila pranon se ka komunikuar me Milan Radojqiqin, i cili është i kërkuar nga autoritetet kosovare dhe është në listë të zezë të ShBA-së. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: