Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me njoftim për plagosjen e mbrëmshme në rrugën ‘’Feriz Guri’’ në Prishtinë ku pati të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokuroria tha se prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, si dhe sigurimin e provave materiale në vendin e ngjarjes.
“Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, dyshohet se personi me inicialet N.B., ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë’’, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja nga Policia e Kosovës, ku aty është gjetur një armë e gjatë, shtatë (7) gëzhoja dhe trembëdhjetë (13) fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore”.
Ndërkohë, gjatë ekzaminimeve përkatëse, Prokuroria tha se nga njësitet relevante është konstatuar se në automjetin e viktimës, Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një armë dhe 12 fishekë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe arrestimin e personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”.





