Më të paktë në numër, por qëndrimi para objekteve komunale është shndërruar në obligim për protestuesit serbë në Zveçan dhe në Leposaviq. Krahas tyre, të pranishëm janë edhe pjesëtarët e KFOR-it.
Kurse Policët e Kosovës, kundër pranisë të të cilëve po protestohet, do të pakësohen si rezultat i dakordimit që u arrit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për hapat drejt shtensionimit të situatës.
“Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Për njohësin e sigurisë, Avni Islami, vendimi për reduktimin e numrit të policëve brenda dhe rreth objektit komunal është i drejtë.
“Kjo marrëveshje është në të mirë të shtensionimit të situatës, është në të mirë të Kosovës dhe vetë qytetarëve në atë pjesë. Forcat e rendit janë për ruajtjen dhe paqen në atë zonë dhe gjithë vendin”, tha Islami.
Jo si zgjidhje, por indikator pozitiv për shtensionimin e situatës, reduktimin e numrit të policëve në dhe rreth objekteve komunale e sheh edhe aktivisti nga Mitrovica e Veriut, Sergjan Simonovic.
“Është një shenjë e mirë, nuk e di a është lajm i mirë apo jo. Unë mendoj se masat e ndërkombëtarëve po japin rezultate. Unë nuk besoj që kryeministri Kurti do ta merrte një vendim të tillë pa asistencën e ndërkombëtarëve, gjithsesi ky reduktim i policëve nuk do ta zgjidhë problemin”, tha Simonovic.
Por, zgjidhje, sipas tij, do ishte riintegrimi i policëve të komunitetit serb në komunat veriore dhe themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dakordimi i arritur mes Kosovës dhe BE-së parasheh edhe mundësinë e zvogëlimit të mëtejmë të pranisë policore, bazuar në vlerësimet e rregullta të sigurisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: