Nga salla e mbledhjeve të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se uron që pritjes për vendimin nga Gjykata Kushtetuese për amendamentet lidhur me vetingun në drejtësi, t’i vijë fundi.
Më direkte në kërkesë ndaj Gjykatës Kushtetuese ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën pas mbledhjes.
“Presim që Gjykata Kushtetuese sa më parë e sa më shpejt t’i hapë rrugën zhvillimi të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë”, tha Haxhiu.
Në kuadër që asaj i referohet si reformë në sistemin e drejtësisë, Qeveria miratoi Projektligjin për Këshillin Prokurorial – që mes tjerash parasheh ndryshim në përzgjedhjen dhe përbërjen e Këshillit.
“Nga 13 anëtarë në 7 anëtarë permanentë. Anëtarët permanentë janë 7, në mesin e të cilëve tre prokurorë, kryeprokurori i shtetit, sipas detyrës zyrtare dhe 3 anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, por duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së tyre… Përbërja e përkohshme rritet përkohësisht nga 13 në 19 anëtarë, kjo përbërje do të jetë deri në janar 2026”, tha Haxhiu.
Në dy vendime të ndryshme, Qeveria miratoi shpronësimin e mëtejmë për zgjerimin e rrugës Prizren – Prevallë dhe rrugës Doganaj – Shtërpcë.
“Janë dy projekte të cilat kanë pasur ngecje për shkak të shpronësimeve”, tha ministri MPHI-së, Liburn Aliu.
Ekzekutivi miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për kredi nga Banka Evropiane për Investime për financim shtesë prej 38 milionë Eurosh, për vazhdimin e rehabilitimit të “Linjës Hekurudhore 10”, pjesa nga Mitrovica në Leshak.
Qeveria themeloi Grupin Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Aprovimin e morën edhe nismat për lidhjen e dy marrëveshjeve me Turqinë, për bashkëpunim në fushën ushtarake të trajnimeve, teknikës dhe shkencës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: