Audio-incizimet e publikuara nga gazeta online “Nacionale”, në të cilat shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, gjatë një takimi me Slako Simiqin e Listës, pranon se ka biseduar me Milan Radojçiqit, kryeministri Albin Kurti i vlerësoi luftë hibride të Serbisë ndaj Kosovës.
Teksa incizimeve iu referua si të gjymtuara e të redaktuara, Kurti mbrojti Kusarin duke thënë se komunikimi me Simiqin ishte bërë në kuadër të punës si shefe e grupit parlamentar.
“Asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Slavko Simiqit, gjë që s’mund të thuhet që është takim, andaj unë edhe një herë po e theksoj, pushteti ynë është demokratik, shteti ynë është i pavarur dhe të gjitha këto sulme në kuadër të luftës hibride, do të dështojnë”, tha Kurti.
Kurti mohoi pretendimet që e implikojnë atë në audio-incizim.
“As që jam takuar e as kam komunikuar ndonjëherë me personin në fjalë”, tha Kurti.
Duke iu shmangur pyetjeve nëse Kusari-Lila duhet të shkarkohet ose të vihet para përgjegjësisë për bisedën me Radojçiqin, i cili është në arrati nga institucionet vendore dhe në listën e sanksioneve të SHBA-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbrojti shefen e grupit parlamentar të partisë së saj.
“Lista Serbe nuk ka mundur të shantazhojë dhe t’i bëjë presion shefes së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila. Po të kishin efektin e tyre dhe të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe ato nuk do të publikoheshin”, tha Haxhiu.
Edhe Haxhiu mohoi implikimet nga përmendja që i bëhet në audio-incizim.
Lidhur me incizimin e publikuar, në një intervistë në CONTEXT të ATV-së, Kusari Lila ka paralajmëruar padi ndaj Slavko Simiqit dhe gazetarit Berat Buzhala. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: