Meqë nuk u gjet askund në Kosovë e as në vendet me të cilat ka bashkëpunim, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj Ilir Berishës.
Por, sipas banorëve të Klinës, para tre vjetësh institucionet e Kosovës lëshuan një mundësi për arrestimin e romit që akuzohet për dëbim të shqiptarëve, djegie të shtëpive me njerëz të vrarë brenda, si dhe plaçkitje.
“Dëgjova se e kanë pa në Klinë se ka ardhë me apliku në Klinë për pasaportë. Kur ka ardhë me marrë, i kam thënë Delisë (një polic) pse s’po e merrni. Unë vi deklaroj se çka kam pa për ta”, tha Asllan Morina, fqinj i të dyshuarit.
Kështu, me insistim të dëshmitarit Asllan Morina, Policia e ndaloi përkohësisht Ilir Berishën.
“E pyetshin, send nuk pranojke. Dikur i thashë: a muj me dalë unë ballë për ballë me të. Edhe kur e takova i thash: o ilir, ma ktheu: ku je kojshi, i thashë: ja ma s’ka kojshi. A e ke ba qita, e pranojke…”, tha Morina.
Por, dëshmia dhe pranimi i fajësisë për disa nga veprat, sipas Morinës, nuk mjaftoi për ta mbajtur prapa grilave.
“Edhe në fund kurrgjë, prapë u liru. I kam thanë Deliut, pse me u liru… Këto dëshmi për të bëmat e tij a nuk mjaftojnë a?”, u shpreh Morina.
Policia e as Prokuroria Speciale deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk janë deklaruar rreth intervistimit për të cilin flasin banorët e Klinës.
Por Fondi për të Drejtën Humanitare sugjeron të bëhen më shumë përpjekje për sigurim të dëshmive.
“Është shumë e rëndësishme për prokurorinë, në mënyrë që ta dëshmojë përgjegjësinë e të akuzuarit, dhe është për të ardhur keq nëse prokuroria nuk i ka intevristu të gjithë dëshmitarët…”, tha Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Nga fillimi i majit e deri në mesin e muajit korrik, Prokuroria Speciale ka ngritur 4 aktakuza në mungesë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: