Psikologu klinik, Ilir Havolli, për ATV-në ka folur për ndikimin psikologjik të procesit zgjedhor te qytetarët, duke vlerësuar se pritjet e papërmbushura kanë ndikuar në rritjen e zhgënjimit dhe humbjen e interesimit për pjesëmarrje në votime.
Sipas Havollit, zhgënjimi lind nga hendeku mes asaj që qytetarët presin dhe realitetit që po përjetojnë. Ai theksoi se popullata ka krijuar një ndjenjë “ngopjeje” si pasojë e mospërputhjes ndërmjet premtimeve dhe rezultateve konkrete.
“Në aspektin psikologjik, zhgënjimi është te ajo pjesa mes asaj që presim dhe asaj që po jetojmë. Në këtë rast, popullata është e zhgënjyer, sepse ajo që pritet është krejt diçka tjetër, ndërsa ajo që po përjetohet në realitet është krejt diçka tjetër. Kjo ka krijuar te popullata atë ndjenjën e ngopjes dhe humbjen e interesimit për të votuar”, tha Havolli.
Ai gjithashtu theksoi mënyrat se si individët i përjetojnë zgjedhjet, duke potencuar se te disa shkakton më tepër ankth.
Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:





