Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media, duke sqaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me aktgjykimin e saj për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Përmes një komunikate, Supremeja thekson se pretendimet se “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë” janë të pasakta. Sipas saj, vendimi i Kushtetueses i referohet një aktvendimi tjetër të Gjykatës Supreme, me të cilin ishte hedhur poshtë si e palejueshme një padi administrative e një paditësi tjetër.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i referohet aktgjykimit P.A.nr.18/2025, me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Supreme.
Institucioni gjyqësor rikujton se aktgjykimi P.A.nr.18/2025 mbetet në fuqi dhe paraqet një çështje të veçantë, e cila nuk është objekt i vendimit të fundit të Kushtetueses.
Postimi i plotë:
Sqarim lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin në rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë elektrike
Prishtinë, 4 qershor 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës informon opinionin publik se raportimet sipas të cilave “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim”, nuk i referohen aktgjykimit të Gjykatës Supreme me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Për sqarim, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me një aktvendim tjetër të Gjykatës Supreme, përmes të cilit ishte hedhur poshtë si e palejueshme padia e një paditësi, me arsyetimin se akti i kontestuar nuk përmbante elementet e një akti nënligjor normativ dhe, rrjedhimisht, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e tij në procedurë administrative.
Linku i aktvendimit të kthyer në rivendosje:
Ndërkaq, aktgjykimi i Gjykatës Supreme P.A.nr.18/2025, i cili ka të bëjë me kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), mbetet një çështje e veçantë dhe nuk është objekt i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të cilin po raportohet.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e OEK-së dhe kishte:
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017;
shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.
Linku i aktgjykimit:
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, Gjykata Supreme kishte konstatuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Sipas vlerësimit të gjykatës, kjo situatë e bënte të domosdoshme ndërhyrjen gjyqësore për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike, si dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Për hir të informimit të drejtë, të saktë dhe të plotë të opinionit publik, ju ftojmë që ta publikoni këtë sqarim.





