Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka fituar me rezultat 2:0, ndeshjen e rrethit të parë në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Të drejtuarit e trajnerit Ilir Daja, kanë shënuar fitore me dy golat e realizuara nga Meriton Korenica dhe Qëndrim Zyba.
Paraqitja fantastike e lojtarëve të Ballkanit ka rënë shumë në sy edhe tek tifozët bullgarë, të cilët janë habitur nga cilësia që ka klubi nga Suhareka.
“E pashë të gjithë ndeshjen dhe mund të them, një bravo e madhe për ekipin Ballkanit luajnë me zemër! Për Ludogorets, mund të them se loja e tyre ishte tragjike pothuajse gjatë gjithë ndeshjes! Ludogorets nuk tregoi kreativitet nuk meritoi asgjë”, shkruan një tifoz i quajtur Valentin Jankov, në faqen zyrtare të klubit.
“Humbje plotësisht e pritshme duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur në këtë merkato! Kjo skuadër me këta lojtarë kanë pasur me fat gjatë gjithë gjysmësezionit dhe playoff-it dhe tani është një arsye! Këta njerëz në menaxhim duhet të kuptojnë se nuk e kanë fajin trajnerët, por lojtarët që marrin paga të mëdha”, shkruan Kaloyan Kirilov.
“Problemi është 67% e pasimeve ishin të dështuara. Numëroni sa pasime të paplota ose të gabuara bëri Ludogorets në këtë ndeshje dhe do të zbuloni pse u mposhtum. Përveç kësaj, disa futbollistë si Sergio Padt Nonato dhe të tjerë janë mbipeshë”, shkruan Tedor Angleov.
Këto ishin vetëm disa nga komentet e tifozëve bullgar.
Kujtojmë që edhe mediat kryesore në Bullgari e kanë vlerësuar jashtëzakonisht skuadrën Kampione të Kosovës. /atvlive.tv