Kosova mbahet nga importet dhe remitencat: 1.5 mld import, 313 mln nga diaspora

Deri në mars 2026, deficiti tregtar në mallra ka arritur në 1 miliard e 275 milionë euro. Importet kanë shkuar në mbi 1.5 miliard euro. Kurse, diaspora ka dërguar mbi 313 milionë euro.

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat e Bilancit të Pagesave deri në mars 2026, ku paraqiten të dhëna mbi importet, eksportet, remitancat, investimet dhe lëvizjet financiare në vend.

Sipas BQK-së, bilanci i pagesave deri në fund të marsit 2026 është karakterizuar nga deficit i llogarisë rrjedhëse prej 239.57 milionë euro.

“Bilanci i pagesave deri në fund të muajit mars 2026 u karakterizua nga një deficit i llogarisë rrjedhëse prej 239.57 milionë euro, që paraqet një rënie prej 22.21% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e publikuar nga BQK.

Sipas raportit, kjo rënie e deficitit lidhet kryesisht me zvogëlimin e deficitit në bilancin tregtar të mallrave dhe rritjen e suficitit në bilancin tregtar të shërbimeve.

BQK ka bërë të ditur se bilanci tregtar në mallra deri në fund të marsit 2026 ka shënuar deficit prej 1 miliard e 275.76 milionë euro.

“Eksporti për këtë periudhë shënoi vlerën 233.72 milionë euro, duke përfaqësuar rritje prej 14.03%, ndërsa importi i mallrave shënoi rritje të lehtë 1.27% duke arritur vlerën 1,509.48 milionë euro”.

Sipas të dhënave, importet kanë kaluar shifrën prej 1.5 miliard euro vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit, ndërsa eksportet kanë mbetur në 233 milionë euro.

BQK ka bërë të ditur se remitancat vazhdojnë të jenë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore.

“Vlera e remitancave deri në mars 2026 shënoi 313.46 milionë euro, e cila paraqet një rritje prej 7.62% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në statistikat e publikuara.

Sipas vlerësimeve preliminare të BQK-së, remitancat vetëm për muajin prill 2026 kanë qenë rreth 117.6 milionë euro.

“Duke arritur kështu vlerën 431.07 milionë euro për katër muajt e parë të vitit 2026”, thuhet në raport.

BQK ka treguar edhe mënyrën përmes së cilës kanë hyrë remitancat në Kosovë.

“Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit prill kanë qenë përmes IFJB me 59.67%, përmes bankave komerciale me 17.74% dhe kanaleve tjera me 22.59%”.

BQK ka njoftuar se llogaria e shërbimeve ka vazhduar të ketë bilanc pozitiv.

“Llogaria e shërbimeve, e cila vazhdimisht ka bilanc pozitiv, në fund të marsit 2026 shënoi vlerën e 478.21 milionë eurove, që paraqet nivel më të lartë të bilancit pozitiv për 17.64% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”, thuhet në raport.

Në raport përmenden edhe të ardhurat parësore, të cilat deri në fund të marsit 2026 kanë shënuar bilanc pozitiv prej 98.37 milionë euro.

“Të ardhurat parësore, deri në fund të marsit 2026 shënuan bilanc pozitiv prej 98.37 milionë euro, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte vlerë 112.17 milionë euro dhe tregon rënie prej 12.30%”.

Sipas BQK-së, të ardhurat dytësore vazhdojnë të mbesin kontribuuesi kryesor në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.

“Në fund të marsit 2026 kjo llogari shënoi bilanc pozitiv prej 459.61 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 0.16% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”.

Në raport përmenden edhe asetet dhe detyrimet financiare.

“Asetet në llogarinë financiare, deri në fund të marsit 2026 kanë shënuar bilanc pozitiv për 162.08 milionë euro. Ndërsa, detyrimet financiare, kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë prej 368.25 milionë euro”, njofton BQK.

Sipas raportit, investimet direkte në Kosovë deri në fund të marsit 2026 kanë arritur në 215.55 milionë euro.

“Investimet direkte në Kosovë, deri në fund marsit 2026 ishin 215.55 milionë euro, e cila paraqet rritje prej 7.81% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar”.

Ndërsa investimet direkte jashtë Kosovës kanë shënuar vlerën 71.23 milionë euro.

BQK ka njoftuar po ashtu se asetet rezervë deri në fund të marsit 2026 janë rritur për 130.37 milionë euro.

“Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave, të cilat gjatë kësaj periudhe u rritën për 153.88 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë u zvogëluan për 23.51 milionë euro për shkak të maturimit”. /Monitor

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA