Në verilindje të Kosovës, rreth 26 kilometra larg qytetit të Prishtinës ndodhet fshati Prapashticë. Dikur këtu jetonin mbi 100 familje, por me kalimin e viteve, shtëpitë u braktisën nga banorët dhe aktualisht jetojnë vetëm 15 familje në këtë fshat.
Shumë prej tyre u shpërngulën në qytete, ndërsa pjesa tjetër emigruan edhe jashtë vendit.
Ajo se çfarë e bën më të veçantë këtë vend është ajri i pastër e bukuritë natyrore që e rrethojnë të gjithë fshatin Prapashticë.
Shqetësimi më i madh i banorëve mbetet mbyllja shkollës, gjë e cila ka ndodhur prej kohësh. Kështu sipas banorëve që vazhdojnë të jetojnë në fshat, largimet ndodhën prej të gjithëve për një të ardhme më të mirë të fëmijëve.
Banori i këtij fshati, Ismail Naimi, në një bisedë për emisionin STUDIO A të ATV-së, tregoi se Prapashtica është një fshat i njohur në Kosovë, pasi që, sipas tij, çdo luftë që nisë, nuk e lë pa e prek edhe këtë vend.
Ai tregoi se gjatë viteve 89-99, në këtë fsha kanë jetuar 120 familje, ndërsa tani janë rreth 15 familje.
“Këtu Prapashtica është edhe katun i njohur në Kosovë se këtu çdo luftë që kërcet në Ballkan, pa e prek edhe këtu nuk e lë. Prapashtica përpara, jemi kanë këtu të familjes 12 shtëpi, tash jemi vetëm dy shtëpi. Prapashtica i ka pasur 120 familje në vitet 98-99, tash i ka rreth 15 familje, më shumë nuk e di, nuk i kam numëruar, por nuk ka më shumë”, rrëfeu Naimi.
Ai tregoi se në këtë fshat kanë qenë dy shkolla, ku njëra i ka pasur rreth 120 nxënës, ndërsa sivjet i ka pasur vetëm 5-6 nxënës. Kjo shkollë sipas tij, pritet të mbyllet në shtator të këtij viti.
Ndërsa shkolla tjetër, ka që 2-3 vite që është mbyllur. /atvlive.tv
Emisionin e plotë STUDIO A në ATV, e gjeni në videon më poshtë: