Forcat amerikane kanë kryer një sulm ajror ndaj një motoskafi të dyshuar për kontrabandë droge në Paqësorin lindor, duke vrarë tre persona që ndodheshin në bord, njoftoi Komanda Jugore e Shteteve të Bashkuara (SOUTHCOM).
Në një deklaratë zyrtare, SOUTHCOM bëri të ditur se mjeti lundrues ishte “i angazhuar në operacione të trafikut të drogës”, ndërsa personat e vrarë i përshkroi si “tre narko-terroristë”.
Komanda amerikane publikoi edhe një video që, sipas saj, paraqet momentin e sulmit ndaj motoskafit në fjalë.
Sipas të dhënave të publikuara, SHBA-të kanë ndërmarrë dhjetëra operacione të ngjashme që nga shtatori i vitit të kaluar kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor.





