Barcelona ka nisur me vrull merkaton e verës, duke zyrtarizuar transferimin e sulmuesit anglez Anthony Gordon.
Klubi katalanas konfirmoi se Gordon ka nënshkruar një kontratë afatgjatë, e vlefshme deri në vitin 2031, duke u bërë kështu përforcimi i parë i madh i skuadrës për sezonin e ri.
Presidenti Joan Laporta arriti të mposhtë konkurrencën e fortë për shërbimet e futbollistit, pasi interesim për të kishin shfaqur edhe Bayern Munich dhe Liverpool.
Sipas raportimeve, Barcelona pagoi 70 milionë euro menjëherë, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Investimi konsiderohet një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për klubin katalanas, i cili synon të forcojë edhe më shumë repartin ofensiv të drejtuar nga Hansi Flick.
Gjatë prezantimit zyrtar, Gordon nuk i fshehu emocionet për transferimin në “Camp Nou”, duke e cilësuar këtë moment si realizimin e një ëndrre.
“Të jem pjesë e klubit më të madh në botë është një ëndërr e bërë realitet. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe mezi pres të nis këtë aventurë të re”, deklaroi sulmuesi anglez.
Gordon shtoi se objektivi i tij kryesor me fanellën blaugrana është të fitojë trofe të mëdhenj, veçanërisht UEFA Champions League, trofe që mbetet ëndrra e tij më e madhe në karrierë.
Me këtë transferim, Barcelona dërgon një sinjal të qartë për ambiciet e saj, duke synuar të ndërtojë një skuadër konkurruese në të gjitha frontet për sezonin e ardhshëm.





