Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka dërguar një mesazh të qartë dhe plot vetëbesim para përballjes me Austine Nnamdi, ku do të mbrojë titullin botëror IBO në kategorinë cruiserweight.
Pak orë para ngjitjes në ring në OVO Arena Wembley, Uldedaj ka shprehur entuziazmin për sfidën, duke theksuar se synimi i tij afatgjatë është të bëhet kampion i padiskutueshëm i kategorisë.
“Karriera perfekte për mua është të bëhem kampion i padiskutueshëm në kategorinë time. Tani dua vetëm ta mbroj titullin. Më pas, pse jo një meç unifikues? Kjo është mbrojtja ime e parë e titullit dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar”, deklaroi shqiptari.
Boksieri nga Lezha foli gjithashtu me krenari për mbështetjen e madhe që vazhdon të marrë nga tifozët shqiptarë, duke zbuluar se pret një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh në Londër për ta përkrahur.
“Shqiptarët kanë qenë gjithmonë pranë meje. I dua njerëzit e mi dhe mbështetësit e mi. Ata janë zjarr. Kur jam në ring dhe i dëgjoj duke brohoritur, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, u shpreh ai.
Megjithatë, deklarata më e fortë erdhi kur Uldedaj u pyet për rezultatin e meçit. Boksieri nuk la vend për dilema, duke e bërë të qartë objektivin e tij.
“Fitore, fitore, fitore. Me çdo kusht fitore. Nuk ka rëndësi si, por ne do të fitojmë. Jemi gati. Kemi punuar fort dhe jemi përgatitur maksimalisht”, tha ai.
Përballja ndaj Nnamdit konsiderohet një nga sfidat më të rëndësishme në karrierën e Uldedajt. Një triumf në Wembley do t’i siguronte mbrojtjen e parë të suksesshme të titullit botëror IBO dhe do ta afronte edhe më shumë drejt objektivit të madh për t’u shpallur kampion i padiskutueshëm në kategorinë cruiserweight.





