Në samitin e këtij viti të NATO-s, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, Kosova nuk do të jetë në agjendë, njoftoi gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një transmetim të drejtpërdrejtë në emisionin DIREKT nga kryeqyteti lituanian ku po zhvillohet ky samit.
Ajo tha se, edhe pse pritej që Kosova të ishte pjesë e agjendës, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit në veri të vendit dhe rritjes së numrit të trupave të KFOR-it, Kosova nuk do të trajtohet në agjendë, përveç nëse dikush nga anëtarët e ngrit si çështje.
Vitaku tregon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një takim me kryetarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa ky i fundit, edhe pse u pyet nga gazetarët, nuk foli për këtë çështje.
“NATO është aty për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës. Ne po zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. Kemi shtuar praninë tonë për shkak të ndotjes së situatës, dhunës dhe tensioneve që kemi vërejtur në disa javët e fundit”, iu tha gazetarëve nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg. /atvlive.tv
Raportimin e plotë të gazetares së ATV-së, Flaka Vitaku, drejtpërdrejt nga vendi ku po mbahet samiti i NATO-s e gjeni në videon më poshtë: