Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Arben Spasollit, i dyshuar për vrasjen e 37-vjeçarit Erduan Ibrahimi.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, masa është caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, pas dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në vendim thuhet se paraburgimi ndaj të dyshuarit do të zgjasë një muaj, duke filluar nga data 27 maj deri më 26 qershor 2026.
Rasti lidhet me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Mitrovicë, ku mbeti i vrarë Erduan Ibrahimi, ndërsa organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.





