Vedat Muriqi duket se është pranë fundit të aventurës së tij me RCD Mallorca, pasi sulmuesi kosovar pritet të zhvillojë nesër një takim të rëndësishëm me drejtuesit e klubit spanjoll për të diskutuar largimin e tij.
Pas rënies së Mallorcas në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, e ardhmja e “Piratit” është kthyer në një nga temat më të përfolura të merkatos verore.
Sipas mediave turke, interesimi për Vedat Muriqi është i madh, por në garën për transferimin e tij po kryesojnë dy gjigantët turq, Fenerbahçe SK dhe Galatasaray SK.
Megjithatë, raportimet nga Turqia bëjnë të ditur se sulmuesi nga Prizreni e ka refuzuar ofertën e Galatasarayt, duke mos dashur të transferohet te rivali i madh i ish-klubit të tij.
Mediumi turk “Fanatik” shkruan se prioriteti kryesor i Muriqit mbetet rikthimi te Fenerbahçe SK, klub ku ai kishte shkëlqyer para transferimit në Serie A dhe La Liga.
Po sipas të njëjtit burim, Muriqi pritet t’u kërkojë drejtuesve të Mallorcas uljen e klauzolës së lirimit, në mënyrë që transferimi të realizohet më lehtë gjatë verës.
“Vedat Muriqi do të takohet me drejtuesit e Mallorcas për të diskutuar të ardhmen e tij. Futbollisti synon ta lehtësojë largimin përmes një marrëveshjeje më të favorshme financiare”, raportojnë mediat turke.
Ndërkohë, sulmuesi kosovar ka munguar në grumbullimin e Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet miqësore të qershorit, pasi ka kërkuar pushim pas një sezoni të ngarkuar. Megjithatë, rikthimi i tij pritet në muajin shtator për sfidat e UEFA Nations League.





