Thunder një fitore larg finales së NBA-së, Spurs dorëzohen në ndeshjen e pestë

Oklahoma City Thunder hodhi një hap të madh drejt finales së madhe të NBA-së, pasi triumfoi ndaj San Antonio Spurs me rezultat 127:114 në ndeshjen e pestë të finales së Konferencës Perëndimore, duke kaluar në epërsi 3:2 në seri.

Edhe kësaj radhe, lideri i Thunder, Shai Gilgeous-Alexander, ishte figura kryesore e takimit me 32 pikë të realizuara, ndërsa nga stoli shkëlqeu Alex Caruso me 22 pikë. Një mbrëmje fantastike pati edhe Jared McCain, i cili startoi për herë të parë në playoff për shkak të mungesave të Jalen Williams dhe Ajay Mitchell, duke kontribuar me 20 pikë.

Thunder reagoi fuqishëm pas humbjes zhgënjyese në ndeshjen e katërt, ku kishte shënuar vetëm 82 pikë. Skuadra vendase dominoi ritmin e lojës, veçanërisht në çerekun e dytë ku realizoi 40 pikë, ndërsa në pjesën e tretë arriti të krijojë epërsi deri në 20 pikë.

Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Chet Holmgren me 16 pikë e 11 kërcime, si dhe Isaiah Hartenstein që shtoi 12 pikë dhe 15 kërcime.

Te San Antonio Spurs, më efikasi ishte Stephon Castle me 24 pikë, ndërsa Julian Champagnie realizoi 22. Ndërkohë, ylli francez Victor Wembanyama e mbylli sfidën me 20 pikë, por pati vështirësi të mëdha në gjuajtje, duke qëlluar vetëm katër herë saktë nga 15 tentativa nga loja.

Spurs hasën probleme serioze edhe nga vija e treshit, duke humbur 29 nga 41 tentimet për tri pikë.

Pas përfundimit të ndeshjes, në rrjetet sociale shpërthyen reagimet për disa vendime të diskutueshme të arbitrave në favor të Thunder, sidomos në fund të çerekut të tretë, çka shkaktoi pakënaqësi te lojtarët dhe tifozët e Spurs.

Seria tani zhvendoset në San Antonio, ku të enjten do të zhvillohet ndeshja e gjashtë. Në rast se Spurs arrijnë ta barazojnë serinë, përballja vendimtare do të luhet në Oklahoma City të shtunën. Fituesi i kësaj finaleje do të përballet me New York Knicks në finalet e NBA-së, që nisin më 3 qershor.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA