Në Milano po nis një kapitull i ri pas ndryshimeve të mëdha në strukturën drejtuese të klubit. Igli Tare është parë të largohet nga “Casa Milan” të martën në mëngjes, vetëm një ditë pas konfirmimit zyrtar të shkarkimit të tij nga “Rossonerët”, së bashku me Giorgio Furlanin, Massimiliano Allegrin dhe Geoffrey Moncadan.
Vendimi i pronarëve të klubit, RedBird Capital Partners, shënon një riorganizim të thellë te Milani, i cili pritet të hyjë në një fazë të re ndërtimi për sezonet e ardhshme.
Tare u shfaq në ambientet e selisë së klubit në mëngjesin e së martës, ku përfundoi procedurat e largimit dhe mori me vete sendet e tij personale, përfshirë edhe një fanellë të kornizuar të Milanit.
Para gazetarëve, ish-drejtori sportiv u shpreh shkurt pas largimit nga klubi ku shërbeu gjatë sezonit 2025/26.
“Gjithmonë i kam bërë këto gjëra me shumë sakrificë,” deklaroi Tare, duke reflektuar mbi periudhën e tij te kuqezinjtë.
Sipas raportimeve, kontrata e mbetur e Tares me Milanin vlerësohej rreth 3 milionë euro bruto, pasi marrëveshja e tij ishte e vlefshme deri në vitin 2028 me një pagë vjetore prej rreth 800 mijë eurosh.
Largimi i tij, së bashku me figurat kryesore të klubit, shënon një ndër ndryshimet më të mëdha të fundit në strukturën drejtuese të Milanit.





