Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dhënë mesazhin e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Ekonomia Online.
“Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’iu drejtohem me përgëzime dhe urimet më të mira për këtë festë madhështore të Kurban Bajramit me bindje e shpresë që nesër Bajramin ta presim e ta përjetojmë në formën më të mirë të mundshme. Kjo natë e bekuar na rikujton madhështinë e besimit, fuqinë e sakrificës dhe vlerat që e mbajnë të fortë familjen, shoqërinë dhe kombin tonë. Kurban Bajrami lidhet ngushtë me adhurimin më madhështor të haxhit me qëndrimin në arafat. Sot është dita kur miliona besimtarë ngambarë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe kërkim falje para krijuesit në rrafshnaltën e arafatit”, ka thënë ai.
Në urimin e tij drejtuar qytetarëve, Tërnava bëri thirrje për dashuri, unitet dhe solidaritet.
“Kjo festë bartë në vete edhe simbolikën e Kurbanit, një akt i lartë bindjeje e sakrifice dhe afërsie Zotin e madhërishëm. Kurbani, na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndajë nga vetja për të tjerët, kur ndihmon nevojtarin kur afron zemrat dhe forcon solidaritetin mes njerëzve”, deklaroi Tërnava në mesazhin e tij.
Ai, tha se sot më shumë se kurrë është e nevojshme të ruhen traditat.
“Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të ruajmë traditat tona më të mira, të forcojmë familjen si themel të shoqërisë dhe të kultivojmë respektin, dashurinë dhe kujdesin për njëri-tjetrin, Bajrami është festë që bashkon gjenerata, hap dyert e zemrës dhe rikthen vlerat e mirësisë, faljes dhe mirëkuptimit”, ka shtuar ai.
Tërnava përmendi edhe luftërat që janë duke u zhvilluar, duke thënë se gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike e ekonomike.
“Po jetojmë në një botë ku luftërat, konfliktet, dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme çdo ditë. Gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike, ekonomike, gjeostrategjike duke tronditur rëndë ndërgjegjen njerëzor. Në vend të paqes dhe humanizmit, shpesh po mbizotëron urrejtja dhe dhuna e interesat që shkelin mbi dinjitetin dhe jetën e njerëzve të pafajshëm. Andaj, në këtë natë festë e reflektimi mesazhi i Bajramit bëhet edhe më i fuqishëm kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogun para konfliktit dhe humanizmin para interesave që sjellin shkatërrim”, shtoi ai.





