Me rastin e Kurban Bajramit, i cili këtë vit shënohet më 27 maj 2026, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka rikujtuar se therja e kurbaneve lejohet vetëm në thertoret e aprovuara dhe të licencuara nga autoritetet shtetërore.
Sipas njoftimit, lista e thertoreve të aprovuara është e publikuar në ueb-faqen zyrtare të AUV-së, ndërsa institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që therjen ta kryejnë vetëm në objektet e destinuara për këtë qëllim, për të ruajtur shëndetin publik dhe për të respektuar ligjin.
Autoritetet paralajmërojnë se therja jashtë thertoreve të licencuara përbën shkelje ligjore dhe mund të rrezikojë shëndetin publik. Po ashtu, nuk do të tolerohet lëvizja e kafshëve pa dokumentacion përcjellës, shitblerja apo therja në vende publike.
Nga AUV theksohet se thertoret janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme, posedojnë frigoriferë dhe kushte teknike, sanitare e higjienike, ndërsa kapacitetet e tyre vlerësohet se janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve gjatë festës.
Në njoftim bëhet e ditur se çdo kafshë i nënshtrohet kontrollit veterinar para therjes, gjatë procesit dhe pas therjes, nga veterineri zyrtar.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me AUV-në, kanë uruar qytetarët për festën e Kurban Bajramit, me thirrjen që ajo të festohet “sigurt dhe shëndetshëm”.





