KF Llapi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj KF Malisheva në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina triumfoi me rezultat 3-2, duke bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës dhe shmangies së barazhit.
Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 20-të përmes Veliut, pas një aksioni të bukur.
Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i shpejtë. Talenti Arianit Hasani realizoi një gol të bukur për barazimin e rezultatit në minutën e 29-të.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Ramadani u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta përmbysur rezultatin në favor të KF Llapi.
Pa përfunduar pjesa e parë, Arbnor Aliu realizoi edhe golin e tretë për vendasit në minutën e 41-të, duke i dhënë qetësi ekipit të tij.
Në fund, KF Malisheva arriti vetëm ta ngushtojë epërsinë me golin e Mevlan Zekës në minutën e 87-të.
Pas kësaj fitoreje, KF Llapi shkon në kuotën e 46 pikëve, ndërsa KF Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 56 pikë.





