Jude Bellingham do të jetë një nga figurat kryesore të Anglisë në Kupën e Botës, pasi mesfushori i Real Madridit është përfshirë në listën e Thomas Tuchel për turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
Për 22-vjeçarin, ky do të jetë Botërori i dytë në karrierë, pas eksperiencës së parë në Katar në vitin 2022, por këtë herë roli dhe pesha e tij në skuadër pritet të jenë shumë më të mëdha.
Menjëherë pas publikimit të listës, Bellingham reagoi në rrjetet sociale me një mesazh emocional, duke treguar se për të fanella e Anglisë mbetet privilegji më i madh.
“Turneu i katërt madhor, Kupa e Botës numër dy. Fëmija në fotografinë e fundit nuk do ta kishte besuar kurrë këtë. Pikërisht për këtë arsye nuk e marr asnjë ftesë si të mirëqenë. Aq më pak një ftesë që më jep mundësinë të përfaqësoj vendin dhe familjen time në skenën më të madhe”, shkroi ai.
Mesfushori anglez pranoi gjithashtu se sezoni nuk ka qenë i lehtë, por theksoi se ndihet gati për sfidën më të madhe me kombëtaren.
“Ka qenë një vit i vështirë, por ndiej se jam në një moment të mirë dhe gati të jap gjithçka për Anglinë edhe një herë. Tifozë të Anglisë, mezi pres t’ju shoh në SHBA”, shtoi Bellingham.
Ylli i Real Madridit vjen në këtë Botëror pas një sezoni solid në “Santiago Bernabéu”, ku gjatë edicionit 2025/26 ka regjistruar 39 paraqitje, pesë gola dhe shtatë asistime.
Në një Angli që synon t’i japë fund pritjes së gjatë për një trofe madhor, Jude Bellingham shihet si lideri i brezit të ri dhe një nga armët më të forta të Thomas Tuchel në misionin për të rikthyer “Tre Luanët” në majën e futbollit botëror.





