Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka mbështetur banorët e Rugovës, duke kundërshtuar ndalimin e transportit të materialit ndërtimor në Bjeshkët e Nemuna.
Përmes një postimi në Facebook, ai tha se vendimi dëmton jetën e banorëve dhe pengon zhvillimin e tyre.
“Qëndroj në mbështetje të plotë të kërkesave të drejta të banorëve të Rugovës, të cilët me të drejtë po kundërshtojnë vendimin absurd për ndalimin e transportit të materialit ndërtimor në Bjeshkët e Nemuna. Nuk mund të mbrohet natyra duke dënuar njerëzit që jetojnë aty brez pas brezi, duke ua pamundësuar ndërtimin e shtëpive, zhvillimin e bizneseve familjare dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Rugova nuk është një zonë e zbrazët në hartë. Është një trevë e gjallë, me 13 fshatra, me familje punëtore që jetojnë çdo ditë me sfidat e mungesës së infrastrukturës dhe kërkojnë vetëm mundësinë për të zhvilluar pronën dhe jetën e tyre”.





