Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka konfirmuar zyrtarisht se do të largohet nga posti i trajnerit në fund të sezonit, duke i dhënë fund një epoke historike te kampionët anglezë.
Tekniku spanjoll publikoi të premten një video emocionale në rrjetet sociale, vetëm pak ditë para ndeshjes së fundit të sezonit në Ligën Premier kundër Aston Villas.
Guardiola e drejton Manchester Cityn që nga viti 2016 dhe konsiderohet trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit, pasi fitoi gjashtë tituj të Ligës Premier, Ligën e Kampionëve dhe shumë trofe të tjerë vendas.
“Nuk dua të më pyesni për arsyet pse po largohem. Nuk ka një arsye të vetme”, deklaroi Guardiola në video.
“Por thellë brenda vetes e di se ka ardhur momenti im. Do të mbetet përgjithmonë ndjenja që kam për këtë klub, njerëzit, kujtimet dhe dashuria për Manchester Cityn”.
“Ne punuam, vuajtëm, luftuam dhe i bëmë gjërat në mënyrën tonë. Ndërsa koha ime po merr fund, dua që të jeni të lumtur. Oasis janë rikthyer përsëri. Faleminderit që më besuat, që më shtytë përpara dhe që më dashuruat”, shtoi ai.
Që nga ardhja e tij në “Etihad Stadium” në vitin 2016, Guardiola ndryshoi mënyrën e lojës në futbollin anglez dhe vendosi standarde të reja në Ligën Premier.
Titullin e parë kampion e fitoi në vitin 2018, kur Manchester City grumbulloi 100 pikë, një rekord historik në elitën angleze.
Kulmi i suksesit erdhi në sezonin 2022/23, kur City fitoi tripletën historike: Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, duke u bërë vetëm skuadra e dytë angleze që arrin këtë sukses pas Manchester Unitedit të drejtuar nga Sir Alex Ferguson në sezonin 1998/99.
Për sukseset e tij, Guardiola u shpall pesë herë trajneri i sezonit në Ligën Premier, ndërsa në vitin 2023 fitoi edhe çmimin si trajneri më i mirë i vitit nga UEFA.
Sipas raportimeve, Manchester City pritet ta emërojë Enzo Marescan si pasues të Guardiolës. Italiani ka qenë më parë ndihmës i tij në “Etihad”, ndërsa së fundmi ka drejtuar Chelsean dhe Leicester Cityn.
Megjithatë, Guardiola nuk do të largohet plotësisht nga klubi, pasi 55-vjeçari ka konfirmuar se do të marrë rolin e ambasadorit global të Manchester Cityt.





