Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, duke deklaruar se situata për komunitetin serb do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë”.
“Situata do të jetë shumë e rëndë për ne. Albin Kurti ka filluar të ndjek serbët dhe të arrestojë disa nga përfaqësuesit më të njohur të tyre…”, deklaroi Vuçiq, duke pretenduar se këto veprime lidhen edhe me individë brenda institucioneve të Kosovës.
Ai theksoi se Serbia do ta mbështesë Listën Serbe në këto zgjedhje, duke e cilësuar këtë si një prioritet të politikës së Beogradit, shkruajnë mediat.
“Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona dhe do të luftojmë për pozicionin e popullit serb”, u shpreh ai, duke shtuar se sipas tij pala shqiptare synon dobësimin e përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë.
Vuçiq u ndal gjithashtu te çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe (ZSO), të cilin e quajti obligim të papërmbushur nga marrëveshjet e mëhershme.
“ZSO është nënshkruar më 19 prill 2013. Por ajo ka të bëjë edhe me mbijetesën e popullit tonë”, tha ai.
Presidenti serb pretendoi se Serbia po përballet me presione të vazhdueshme ndërkombëtare dhe kritikoi qëndrimet e disa vendeve të rajonit ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve me Beogradin.





