Cristiano Ronaldo më në fund ka festuar titullin e shumëpritur të kampionit në Arabinë Saudite.
Al Nassr u shpall zyrtarisht kampion i Arabisë Saudite pas fitores bindëse 4-1 ndaj Damac në xhiron e fundit të kampionatit.
Sadio Mane hapi serinë e golave pas një asistimi nga Joao Felix, ndërsa Kingsley Coman realizoi golin e dytë për vendasit.
Megjithatë, Damac riktheu shpresat për një moment kur Sylla shënoi nga pika e bardhë për rezultatin 2-1. Por, ndryshe nga përballja e kaluar ndaj Al Hilal, këtë herë Cristiano Ronaldo nuk lejoi befasi.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi dy gola të bukur për ta vulosur triumfin 4-1 dhe për t’i siguruar Al Nassr-it titullin e kampionit.
Ky është trofeu i parë i Ronaldos në futbollin saudit, ndërsa ylli portugez do të synojë një tjetër sukses pas një muaji, kur me Portugalinë do të kërkojë triumfin në Kupën e Botës.





