Një gjykatë në Vilnius ka dënuar ish-Shefin e Mbrojtjes së Lituani, Valdemaras Rupšys, me një gjobë prej 20 mijë eurosh për mashtrim, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Rupšys u përball me akuzat pasi kishte përdorur fonde ushtarake për të paguar dy implante dentare me vlerë rreth 4 mijë euro. Ai kishte deklaruar më herët se dëmtimi dentar ishte shkaktuar gjatë një vizite te trupat lituaneze në Gjermani në korrik të vitit 2022.
Sipas hetimeve, incidenti ishte njohur zyrtarisht si i lidhur me shërbimin ushtarak, çka bëri që trajtimi të mbulohej nga fondet e mbrojtjes kombëtare.
Përveç gjobës, gjykata vendosi që ish-shefit të mbrojtjes t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbimin civil për pesë vjet.
Valdemaras Rupšys drejtoi ushtrinë lituaneze nga viti 2019 deri në vitin 2024 dhe nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.
Ndërkohë, mjeku ushtarak Šarūnas Ratkus u gjobit me 15 mijë euro, i akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në mashtrim. Ratkus deklaroi se do ta apelojë vendimin.





